TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) firmosi një marrëveshje bashkëpunimi me USAID-in, për të dhënë asistence teknike për përmirësimin e performancës dhe veprimtarisë së OSHEE-së.
Do të jetë drejtoria rajonale Shkodër, që do të përfitojë asistencë teknike për një shtrirje kohore 1-vjeçare.
Gradualisht, me zhvillimin e projektit, në bashkëpunim me kompaninë e njohur në fushën e konsulencës të kontraktuar nga USAID-i, “Tetra TeCH”, asistenca do të shtrihet edhe në rajonet e tjera.
Administratori i OSHEE, Adrian Çela tha se “marrëveshja me USAID në thelb synon forcimin menaxherial dhe përmirësimin e mëtejshëm të treguesve për rajonin Shkodër. Ne besojmë se ky bashkëpunim do të jetë frytdhënës, bazat e të cilit, pas Shkodrës do të shtrihet edhe në rajonet e tjera”.
“Në kushtet kur, në rang vendi humbjet janë nën 24%, vlerësojmë se me angazhimin e ri të partnerëve në Shkodër, ky rajon do të na përmirësojë më tej treguesit. Përfaqësuesja e USAID për Shqipërinë, Mikaela Meredith vlerësoi reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare në sektorin energjetik, “ku një nga treguesit e rritjes së performancës së kompanisë OSHEE, ulja e humbjeve, është rezultat i këtyre reformave, çka e kanë bërë sektorin shqiptar të energjisë më të përshtatshëm me atë europian”.
“Për 12-15 muajt e ardhshëm, USAID do t’i japë asistencë teknike OSHEE në fusha si: Leximi dhe faturimi, mbrojtjen dhe kontrollin e të ardhurave, planifikim dhe operim, si edhe strukturat e përmirësuara të menaxhimit dhe proceseve”.
“Këto janë benefite për qeverinë shqiptare që do të arrihen përmes nismave të menaxhimit dhe do ta vendosë OSHEE në rrugën e saj për stabilitet tregtar afatgjatë”, shtoi më tej Meredith.
“Këto zhvillime e kanë përgatitur sektorin energjetik shqiptar për një konkurrencë më të madhe në tregjet rajonale si dhe për një integrim që do të përmirësojnë sigurinë e furnizimit me energji, e cila është thelbësore për një rritje ekonomike afatgjatë dhe stabilitet social”, u shpreh përfaqësuesja e USAID. /o.l/e.caushi/











