Pedagogu Nikolla: Protesta u mor peng, bllokuan përfaqësitë e studentëve për dialog

TIRANË, 11 dhjetor/ATSH/ – Protesta e studentëve duhet të krijojë një përfaqësi në mënyrë që të zhvillohen diskutimet për kërkesat e tyre me Kryeministrin dhe ministren e Arsimit.

I këtij mendimi është pedagogu Albert Nikolla i cili e shikon protestën e studentëve si të marrë penga nga disa drejtues, të cilët po i pengojnë studentët që të ngrenë një përfaqësi.

“Mendoj se protesta është marrë peng nga disa drejtues, sepse është e pamundur të mos krijohet një përfaqësi. Duhet me patjetër një përfaqësi për të diskutuar mbi kërkesat e tyre me Ministren dhe Kryeministrin. Studentët thirren në kauzë që çështja të zgjidhet. Mendoj se nuk është e vështirë të zgjidhet një përfaqësi. Ka persona që po përpiqen ta bllokojnë këtë përfaqësi. Dikush po i pengon që kjo përfaqësi të krijohet. Studentët thonë që jemi vetëm për kërkesat, por në një vend demokratik nuk duhet të ndodhë kjo. Studentët nuk duhet të ndikohen nga ideologë. Duhet të bëhet dallim mes individit dhe institucionit. Unë do të preferoja që studentët të mbeten si një grupim i vetëm që dinë ta menaxhojnë protestën pa ndikimin e grupeve që tentojnë të tejçojnë idealet e tyre përmes studentëve. Studentët le të flasin. Duhet të shkojnë nëpër media që të flasin. Fjala duhet të jetë e para dhe e fundit”, – u shpreh ai.

Duke u ndalur te kërkesat e parashtruara nga studentët, për pedagogun Nikolla ato janë të realizueshme, por të gjitha këto duhet të analizohen dhe diskutohen një për një. Sipas pedagogut, çështja e tarifave duhet të shikohet rast pas rasti, sidomos tek familjet në gjendje të rëndë ekonomike. 

“Besoj se të gjitha kërkesat që ata kanë janë të ligjshme. Të marra një nga një ato duhet të analizohen secila. Cilësia është dramatike. Unë jam dhe për një pikë tjetër të 9, mbi masivizimin. Nuk është normale, as dinjitoze për kërkimin shkencor. Ajo çka është thelbësore për një pedagog në Itali është aftësia për të bërë një kërkim shkencor. Ndërsa në vendin tonë, pedagogët janë në nivelin e një mësuesi gjimnazi. Çështja e tarifave duhet të shikohet rast pas rasti, sidomos tek familjet në gjendje të rëndë ekonomike. Janë një numër i madh faktorësh që kanë sjellë situatën e sotme”, – përfundoi ai. /e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.