Ballina Ekonomi

2019-2021, rritje e investimeve publike në çdo sektor

Në 2019 investimet publike, zënë 5,1% të PBB ose 88.8 miliardë lekë

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/- Investimet publike, synojnë finalizimin e projekteve të rrugëve nacionale, mbështetjen e sektorit të ujit, shëndetësisë, arsimit dhe veçanërisht për këtë vit mbështetjen e sektorit të bujqësisë.

Ministria e Financave bën të ditur se, shpenzimet buxhetore për periudhën 2019-2021 do të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike duke u përqendruar në financimin e projekteve të rëndësishme strategjike.

Për vitin 2019 investimet publike, janë planifikuar në masën 5,1% e PBB ose 88.8 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe mbështetjen për Sektorin e energjisë 3 miliardë lekë).

Ndërsa investimet totale në ekonomi parashikohen të rriten në terma real mesatarisht rreth 5,6% në vit, me një përshpejtim të lehtë në vitin 2021, me një kontribut mesatar në rritjen totale prej rreth 1,5% në vit.

Përveç sektorit industrial dhe biznesit, rijetëzimi rural do të jetë fokusi kryesor i mbështetjes së qeverisë për zhvillimin rajonal në këtë mandat katërvjeçar.

Për këtë qëllim, programi 100 Fshatrat do të synojë të koordinojë ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën rurale të 100 fshatrave, sipas qasjes ndërsektoriale dhe me shumë aktorë.

Programi konsiston në konsolidimin e investimeve publike, atyre të donatorëve dhe i investimeve private, në hapësirën e 100 fshatrave, me potenciale të larta zhvillimi ekonomiko-sociale, të agroturizmit e turizmit rural, natyrës dhe mjedisit, si dhe të trashëgimisë kulturore.

Ndërsa investimet në infrastrukturë, sektorin e ujit, shëndetësi, arsim synojnë të sjellin në një standard të ri zhvillimin e vendit. /e.xh/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNga 1 janari, legalizim i dokumenteve për në Itali nga MEPJ: Lehtësi dhe kursim për shqiptarët
Artikulli tjetërAnçeloti lojtarëve të tij: “Torta është gati, mungon vetëm qershia”