Nga 1 janari, legalizim i dokumenteve për në Itali nga MEPJ: Lehtësi dhe kursim për shqiptarët

TIRANË, 11 dhjetor /ATSH/ – Në kuadër të lehtësimit të shërbimeve konsullore Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme – njofton të gjithë shtetasit shqiptarë që ndjekin procedurat e legalizimit të dokumenteve për përdorim në Itali, se në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet italiane, është vendosur të hiqet certifikimi i përkthimit të dokumentit nga ana e Ambasadës së Italisë në Tiranë duke filluar nga data 1 janar 2019.

Procedura e heqjes së certifikimit nga ana e tyre, hyn në fuqi më 1 janar 2019 dhe përbën lehtësim për shtetasit shqiptarë që konsiston si në shkurtim të afateve kohore, ashtu edhe të kostove financiare, duke marrë parasysh se ky proces, pra edhe certifikimi i përkthimit të dokumentit, tashmë do të përmbyllet pranë Sektorit të Legalizimit në MEPJ.

Duke filluar nga 1 janar 2019, Sektori i Legalizimeve, në kuadër të këtij dakordësimi, do të legalizojë dokumentin origjinal si dhe përkthimin e tij.

Deri tani qytetarëve shqiptarë u është kërkuar që pasi të apostilonin pranë Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dokumentin për përdorim në Itali, ta përkthenin atë në një noter dhe më pas ta legalizonin pranë Ambasadës italiane para se ky dokument të bëhej i përdorshëm në Itali. Me marrëveshjen e re, pas përkthimit të dokumentit tek një noter, certifikimi i përkthimit nuk do të bëhet më nëpërmjet Ambasadës italiane por nëpërmjet Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Nëpërmjet kësaj marrëveshje koha e marrjes së shërbimit shkurtohet me 4 ditë si dhe kursehen 2.830 lekë. Gjatë një viti legalizohen rreth 110.000 dokumente shqiptare për përdorim në Itali, që do të thotë se me procedurën e re, qytetarët shqiptarë do mund të kursejnë rreth 311.300.000 lekë.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, falënderon Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë dhe në veçanti Ambasadën italiane në Tiranë për bashkëpunimin dhe vullnetin e mirë për të lehtësuar sa më shumë procedurat për shtetasit shqiptarë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.