PRISHTINE, 8 dhjetor /ATSH/ -Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ishin të pranishëm sot në përurimin e Stadiumit të Malishevës.
“Është moment i veçantë për mua, për Qeverinë e Republikës së Kosovës por edhe për Komunën e Malishevës dhe qytetarët e saj që më në fund po e realizojmë një ëndërr të të gjithë sportistëve e sportdashësve që edhe Malisheva të ketë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e aktiviteteve sportive, përkatësisht realizimin e sportit të futbollit”, u shpreh Ministri Gashi.
Po ashtu, ministri Gashi tha se në Komunën e Malishevës do të ketë edhe investimet tjera që do të realizohen në fushën e sportit me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës sportive.
“Sportistët tanë po vazhdojnë të na bëjnë krenar, përveç sukseseve në vend, Kosovës i sollën medalje edhe nga garat ndërkombëtare pra sportistët tanë janë ambasadorët më të mirë të Kosovës dhe ne si Ministri e Sportit jemi të përkushtuar ta mbështesim fuqishëm sportin në vendin tonë”, shtoi ai.
Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e falënderoi ministrin Gashi për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën që ofron për Komunën e Malishevës. Ky stadium për Malishevën është jashtëzakonisht i nevojshëm dhe i mirëpritur, sidomos për futbollistët, sepse ata do të kenë një vend ku do të garojnë dhe zhvillohen më tej në sportin e futbollit tha Begaj. /KosovaPress/j.p/












