Ballina Lajme nga Vendi

Qytetarët e Cërrikut dhurojnë gjak

TIRANË, 7 dhjetor /ATSH/ – Qytetarë të Cërrikut dhuruan gjak në kuadër të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi Cërrikun dhe së bashku me kryebashkiakun Altin Toska ishin të pranishëm në seancën e dhurimit të gjakut nga shumë vullnetarë të rinj e të reja dhe ekipi i peshëngritjes së Shtërmenit.

“Kënaqësi që jam në bashkinë e Cërrikut! Falënderoj kryetarin e bashkisë, zotin Toska dhe të gjithë qytetarët, në mënyrë të veçantë vajzat dhe gratë e kësaj bashkie, të cilat janë në krye të këtij solidariteti për dhurimin e gjakut që është një aksion i vazhdueshëm në funksion të garantimit të gjakut për të gjithë fëmijët dhe të prekurit nga talasemia. Por edhe për të gjithë qytetarët, të cilët kanë nevojë për gjak.

Kjo është një seancë e veçantë, sepse bashkia dhe qytetarët e Cërrikut ua dedikojnë qytetarëve të Lushnjës, të cilët kanë nevojë më shumë se çdo bashki tjetër e vendit për dhurimin e gjakut”, – u shpreh Presidenti Meta.

“Dua të falënderoj edhe ekipin e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, që punon me përkushtim për të përmbushur një kalendar sistematik, që garanton qëndrueshmërinë e funksionimit të dhurimit të gjakut në të gjithë vendin tonë”, – theksoi Presidenti i Republikës.

/gj.mima/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUnaza e Madhe- Lame: Në zonën e Kasharit 49 legalizime gjatë 8 viteve
Artikulli tjetërShqipëria e angazhuar në forcimin e paqes në Ballkanin Perëndimor