NJU JORK, 6 dhjetor /ATSH-AA/ – Sipas revistës amerikane të biznesit “Forbes”, kancelarja gjermane, Angela Merkel, vazhdon të kryesojë listën e 100 grave më të fuqishme në botë.
Në listën e revistës amerikane, kancelarja Merkel u zgjodh gruaja më e fuqishme në botë për të tetin vit radhazi dhe 13 herë në total. Ajo u pasua nga kryeministrja britanike, Theresa May dhe drejtuesja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Christine Lagarde.
Në 10 emrat e parë të kësaj liste, pas Merkel, May dhe Lagarde vijnë drejtoresha ekzekutive e ”General Motors”, Mary Barra, drejtoresha ekzekutive e kompanisë për investime ”Fidelity Abigail Johnson”, themeluesja dhe zëvendëskryetarja e Fondacionit “Bill & Melinda Gates”, Melinda Gates, drejtoresha ekzekutive e YouTube, Susan Wojcicki, kryetarja ekzekutive e ”Santander Group”, Ana Patricia Botin, kryetarja ekzekutive e ”Lockheed Martin”, Marillyn Hewson dhe drejtoresha ekzekutive e IBM-së, Ginni Rometty.
Ndërmjet tyre është edhe manjatja turke, Guler Sabançi.
Sabançi, kryetare dhe drejtoreshë e ”Sabançi Holding”, konglomerati i dytë më i madh i Turqisë, renditet në vendin e 64-t në listën e 100 grave më të fuqishme.
Sabançi është edhe themeluese e universitetit ”Sabançi” dhe fondacionit ”Sabançi”, ndër fondacionet më të mëdha bamirëse private të Turqisë.
Gratë që marrin pjesë në këtë listë, e cila përgatitet çdo vit që nga viti 2004, përcaktohen në bazë të kritereve si shikueshmëria në media, drejtimi në politikë dhe ekonomi./ /os/ a.jor.




















