Aktivitete për 5 Dhjetorin, Ditën Botërore të Vullnetarizmit

TIRANE, 5 dhjetor /ATSH/- Data 5 Dhjetor, njihet ndryshe si Dita Botërore e Vullnetarizmit e vendosur nga Asambleja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1985.

Qëllimi i kësaj dite është të falënderohen vullnetarët për përpjekjet e tyre në komunitet dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për të kontribuar në shoqëri.

Në Bashkimin Europian, përafërsisht 100 milionë qytetarë të të gjitha grupmoshave investojnë kohën, talentin dhe paratë e tyre për të kontribuar pozitivisht për komunitetin në organizata të shoqërisë civile, klube të të rinjëve, spitale, shkolla, etj.

Anembanë globit ka mbi një miliard vullnetarë që i kushtojnë kohë dhe aftësi të tjerëve. Ndërkohë që, këtë vit Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit në bashkinë e Tiranës, me qëllim ndërgjegjësimin e publikut për të kontribuar në shoqëri, ka menduar të bëjë bashkë vullnetarët e saj në aktivitete mbjellje, pastrimi e riciklimi pranë Parkut të Madh të Liqenit Artificial. Aktiviteti do të mbahet në Parkun e Madh të Liqenit.

Ndërkohë që në Shqipëri, fushata të ndërgjegjësimit publik mbi vullnetarizmin organizohen nga organizata të ndryshme joqeveritare, të cilat bashkëpunojnë edhe me institucionet shtetërore. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.