Ballina Kulturë

Filmi “Delegacioni”, premierë në qytetin e Kuçovës

TIRANË, 30 nëntor /ATSH/ – Filmi “Delegacioni” u shfaq premierë në kinemanë “Kadri Roshi” për publikun në qytetin e Kuçovës.

Filmi me skenar nga i ndjeri Artan Minarolli dhe regji nga Bujar Alimani u bë i mundur në kuadër të aktivitetit “7 Netët e Kinemasë Europiane”. Në shfaqjen e filmit “Delegacioni” në kinemanë “Kadri Roshi” ishin të pranishëm dhe aktorët Viktor Zhusti dhe Ndriçim Xhepa.

Për aktorin e njohur Ndriçim Xhepa projeksioni i filmit në Kuçovë merr një rëndësi tjetër pasi shfaqet në një kinema, që i ka mbijetuar shkatërrimeve.

Në “Warsaw Film Festival” një festival i kategorisë A, filmi “Delegacioni” u dha premierë botërore ku edhe u shpërblye me çmimin e madh Grand Prix. Ky film është bashkëprodhim mes Shqipërisë (Art Film), Kosovës (Bleri Production), Francës (Zorba production) dhe Greqisë (Graal Films). Në film me regji nga Bujar Alimani luajnë aktorët Viktor Zhusti, Xhevdet Feri, Ndriçim Xhepa, Richard Sammel, Kasem Hoxha, ndërsa nga Kosova në film paraqiten aktorët Bislim Muçaj, Selman Lokaj, Avdullah Gjikokaj, Fatlume Bunjaku, Armend Ismajli, Gani Morina, Artan Selimi, Imer Loshi.

Tetor 1990, regjimi komunist në Shqipëri po përpiqet të mbajë pushtetin. Një delegacion evropian vjen në Tiranë për të monitoruar zbatimin e reformave të qeverisë, një parakusht i madh që Shqipëria të pranohet në OSBE. Leo është marrë fshehurazi nga një burg i largët dhe është sjellë në kryeqytet. Ai ka qenë një i burgosur politik për 15 vjet. Tani ai është bërë jashtëzakonisht i vlefshëm për qeverinë. Delegacioni evropian udhëhiqet nga një shok i shkollës së vjetër të Leos.

Detyra e tij është të kontrollojë progresin e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Leo mund ta bindë atë se gjithçka është në rregull. Por asgjë nuk shkon siç është planifikuar. Më herët regjisori Alimani është shprehur se ky projekt përfundoi me sukses./a.a/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakReforma në Drejtësi, më 12 dhjetor ngrihet Këshilli i Lartë i Gjyqësorit
Artikulli tjetërFOTO/ “Streha mes reve”, shfaqet premierë botërore në Estoni