TIRANË, 24 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Sistemi elektronik për vendosjen e gjobave nga Policia Rrugore është sfida më e re e Policisë së Shtetit.
Në prezantimin e flotës së re të makinave të Policisë së Shtetit, Kryeministri Edi Rama e konsideroi domosdoshmëri ecjen shumë më shpejt përpara me inovacionin.
“E kemi të domosdoshme që përveç makinave të reja të pajisura me sistem gjurmimi satelitor, të kemi monitorimin e rrugëve. Kamerat në të gjitha akset kryesore i kemi, ndaj shpresoj në një rezultat sa më të shpejt lidhur me reformën e shërbimit dixhital për gjobat dhe reklamimet e qytetarëve”, tha Rama.
Rama kërkoi që të hiqet dorë përfundimisht nga vendosja e gjobave me blloqe letre dhe të kalohet te sistemi i teknologjisë.
“Duke pasur kamerat ne duhet të garantojmë që teknologjia ta bëj këtë punë dhe jo policë që rrinë fshehur e dalin me tabela në dorë, të cilët e vendosin trupën e policisë në një pozicion qesharak”, tha Rama.
Ai kërkoi që të kapërcehet në një epokë tjetër, dhe t’i jepet fund edhe komisioneve të reklamimit për heqjen e patentave, të cilat i cilësoi si vatra korrupsioni. /m.m/ /a.g/























