Ballina Kulturë

LKL shpall programin “Shttt jam duke lexuar”

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ – Nisma e Ministrisë së Kulturës, Lëvizja Kombëtare për Lexim (LKL) është ndalur në kryeqytet me shfaqjen “Sekreti i Gishtos së Rritur”, pas aktiviteteve të suksesshme të zhvilluara në qytetet e Tepelenës, Kukësit dhe Gjirokastrës.

Nga skena shumë e dashur për fëmijët e Teatrit të Kukullave, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ftoi prindërit shqiptarë ta shohin leximin si një prej përkujdesjeve të rëndësishme që i japin fëmijëve të tyre, që në fëmijërinë e hershme.
“T’u lexojmë fëmijëve një libër, çdo natë dhe këta ta fillojmë qysh herët në barkun e nënës. Prej disa kohësh kemi nisur lëvizjen kombëtare për lexim dhe duam që në të gjitha ditët e vitit të fillojnë të mësohen me idenë se libri do të jetë shoku i tyre më i mirë. E them si prind, si mësuese, si ministër, sepse dua shumë që në këtë nismë të na mbështesni të gjithë, pasi vetëm kështu mund të kemi një Shqipëri të emancipuar, ndërsa secili nga ne duhet ta hapë mendjen drejt një botë më të madhe se e përditshmja”, – u shpreh Kumbaro në fjalën e saj.

Lëvizja Kombëtare për Lexim ka në fokus fëmijët nga 0-14 vjeç dhe edukimin e leximit që në fëmijëri. Ministria e Kulturës pas dy fushatave sensibilizuese Takohemi për një Libër, këtë vit do të pasurojë me libra për fëmijë, 12 biblioteka publike dhe 12 biblioteka shkollash në secilin qark të vendit.
“Nuk jam e vetme në këtë nismë, por së bashku me bashkëluftëtaren time, Lindita Nikolla, sepse, asnjë nuk ia del i vetëm nëse nuk bashkohemi të gjithë sëbashku, prindër, mësues, shoqëri civile, media. Ju lutem media të nderuara, gjeni pak hapësirë në dritaren e ekranit, apo në portalet tuaja, shtoni diçka çdo ditë për librin dhe kulturën e leximit. Falenderoj njerëzit e skenës, janë të shumtë sonte këtu, ju lutem mendjet tuaja inteligjente, gojëtarinë vendoseni në shërbim të kësaj kulture të dashur, që nuk na tradhton kurrë, librin!”
Lindita Nikolla tha se Ministria e Arsimit dhe Sportit, nga ana e saj do të pasurojë bibliotekat e shkollave qendër komunitare, në mbarë vendin, ndërsa në kuadër të Lëvizjes për Lexim, dy ministret shpallën shkollën e parë Pilot, – shkolla Kosova në Tiranë, që do të nisë programin “Shttt jam duke lexuar” e ndjekur nga 10 shkolla të tjera të kryeqytetit, ku do të zbatohet 15 minuta lexim i detyruar, 1 ditë të javës.
“Fillimisht në shkollën Kosova, por edhe në 10 shkolla në Tiranë, edhe në bashkinë e vjetër, edhe në Tiranën bashki e madhe, në mënyrë që mësuesit nxënësit, por dhe kushdo tjetër që është pjesë e shkollës të ketë mundësinë që 15 minuta t’ia dedikojë librit. Është një aksion mbarëkombëtar që shënon për sistemin tonë arsimor një komponent të rëndësishëm, siç është marrëdhënia me librin dhe dijen që përcjell çdo fletë e lexuar libri”, – u shpreh ministrja Nikolla.

Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ministrja Kumbaro ka kërkuar të shpallet emergjenca e leximit, si një alarm që duhet të na shqetësojë dhe përbashkojë në kontribute të gjithëve.
“Sekreti i Gishtos së rritur” erdhi në skenën e Teatrit të Kukullave, nën interpretimin e drejtorit të QKF-së, Erion Isai dhe 9 aktorëve të vegjël nga Qendra Kulturore e Fëmijëve në Tiranë, ku secili prej tyre vjen si personazh i dalë nga një libër dhe grish fëmijët që ta lexojnë.
Shfaqja, e para e këtij lloji në Shqipëri, vjen si një risi e posaçme në këtë Lëvizje, për të nxitur dëshirën për lexim tek fëmijët, jo përmes moralizimit, por kënaqësisë dhe ngacmimit të kuriozitetit të tyre. /e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Trump kërcënon sërish për mbylljen e kufirit me Meksikën
Artikulli tjetërUnaza e Re, Basha: Opozita mbështet protestën e banorëve