FA, stërviten si të reagojnë gjatë operacioneve luftarake

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ – Forcat e Armatosura, zhvilluan një stërvitje se si mund të reagojnë gjatë rasteve të një operacioni luftarak.

Kjo stërvitje u zhvillua në mjediset e Agjencisë së Sistemeve të Ndërlidhjes së Informacionit dhe zgjati dy ditë. Në të u testua gatishmëria e forcave si dhe elementët e komunikimit dhe të sistemeve.

Në stërvitjen Kastrioti – 2018, morën pjesë efektivë nga të gjitha forcat dhe komandat e Forcave të Armatosura.

“Stërvitja e Shtabit të Përgjithshëm dhe strukturave të varësisë së tij, shërben për planet e operacioneve të përbashkëta luftarake, si dhe harmonizimin e procedurave standarde në përshtatje me ato të NATO”, tha kolonel Petrit Çuni, shefi i Shtabit të Task Forcës së Bashkuar Shumëkombëshe.

Mësimet e nxjerra nga stërvitjet e mëparshme u implementuan në skenarët dhe në objektivat e trajnimit.

Shefi i Shtabit zhvilloi komunikime të herëpashershme me drejtuesit e forcave pjesëmarrëse në këtë stërvitje, nëpërmjet lidhjeve direkte.

Ndërkohë Qendra e Bashkuar Operacionale, reagoi në kohë reale ndaj gjitha situatave që ndodhën. /o.l/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.