Ballina Kulturë

Ngjyrat e Lindjes së Largët, në fundjavë në teatrin e Durrësit

TIRANË,10 nëntor /ATSH/ – Shfaqja teatrore “Tri gra dhe Misugi” me regji nga Suela Bako vjen për publikun mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës në skenën e teatrit të Durrësit.

Vepra është një dramatizim nga novela e famshme “Çiftja” e shkrimtarit japonez Yasushi Inoue. Rolet në dramë luhen nga Suela Bako, Romir Zalla dhe Anila Muçaj.

Në thelb të dramës, janë tri letra dërguar Misugit, një burri, që gjendet në mes të një trekëndëshi tragjik dashurie. E vendosur në kontekstin e ditëve të sotme, me tre personazhe: aktorja, regjisori dhe asistentja, pjesa zbërthehet me të njëjtën strukturë të shtresëzuar dhe me ngjyrimin dhe shijen e Orientit të largët.

Në një shfaqje të konceptuar si teatër brenda teatrit, përmes distancimit në intervalet mes monologjeve (letrave) zbërthejmë marrëdhënien njerëzore aktor – regjisor me kompleksitetin e saj, e cila shkon në rrafsh paralel me rrëfimin e personazheve të Inoues.

Vepra “Tri gra dhe Misugi” vjen si një shfaqje brenda shfaqjes. Premiera e kësaj vepre ishte më herët në Teatrin Eksperimental dhe dy mbrëmje me radhë në orën 19.00 është në teatrin “Aleksandër Moisu” në Durrës./a.a/j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBasketboll, “Tirana” në krizë, humb edhe ndaj “Kamzës”
Artikulli tjetërBelsh, faza e dytë e Rilindjes Urbane, projektohet unaza rreth liqenit