Ballina Kulturë

“Dogfall” e regjisorit Çapaliku udhëton drejt Korçës

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/- Një moment reflektimi për luftërat që kanë pasoja të rënda, deri në transformim të qenies njerëzore është në qendër të pjesës teatrore “Dogfall” të autorit australian Caleb Lewis me regji nga Stefan Çapaliku, që do të shfaqet të shtunën në teatrin “Andon Zako Çajupi”, në Korçë.

Shfaqja është një projekt i ambasadave gjermane dhe asaj franceze në Tiranë me mbështetjen e Teatrit Metropol.

Në këtë dramë interpretojnë aktorët Alert Çeloaliaj, Ervin Bejleri si dhe Erion Hinaj. Skena dhe kostumet janë përgatitur nga Sadik Spahija, muzika në vepër nga Agron Shala, koreografia Gjergj Prevazi.

Regjisori Stefan Çapaliku tregon se është një shfaqje e ashpër, e egër, por shpesh edhe lirike dhe e përzemërt.

“Vetë drama e Lewis është mahnitëse dhe e frikshme. Shfaqja do t’i shpëtojë zymtësisë totale, duke prekur ndër terrene shpesh qesharake të njerëzimit”, – thekson Çapaliku.

Shfaqja ka në qendër të saj një ushtar dhe një infermier që përpiqen të mbijetojnë, por ndërkohë lufta do të lërë pak prej tyre. Çapaliku na rrëfen se si një infermier zemërmirë me dëshira dhe ëndrra për botën transformohet në një qenie të frikshme, të rrezikshme për çdokënd.

Pasojat e luftës janë aq të rënda, saqë nëse e përjeton rreziku, që lufta e brendshme brenda individit të mos mbarojë kurrë është i madh.

“Kundër kujt po luftojmë?” – pyet Xhek, teksa shpreh frikën se s’do të dalë i gjallë prej gjithë kësaj. Dhe me të drejtë, lufta arrin të vrasë pjesën humane të tij, ai është krejtësisht i tjetërsuar…

Më parë kjo dramë është shfaqur në skenën e Elbasanit dhe të Shkodrës. /k.s/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNxitje emigrantëve të investojnë në agroturizëm
Artikulli tjetërSistemi “VAR”, në Ligën e Kampioneve që këtë vit