Ballina Lajme nga Vendi

SHBA-Shqipëri, projekte për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/- “Po çojmë përpara anembanë Shqipërisë projekte të rëndësishme për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm. Me mbështetjen e më shumë se 5 milionë dollarë ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ne po punojmë me partnerët tanë për të ngritur forcën përballuese të komunitetit, fuqizuar gratë dhe të rinjtë, forcuar qeverisjen vendore dhe për të përkrahur zërat e matur brenda komuniteteve fetare”.

Kështu theksoi sot e Ngarkuara me Punë, Leyla Moses-Ones në Konferencën Kombëtare “Ekstremizmi i dhunshëm në Shqipëri – Vlerësim kombëtar i nxitësve, formave dhe rreziqeve”, ku u paraqitën rezultatet e një studimi të kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së mbi luftën dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Pavarësisht nëse jeni zyrtar i qeverisë, pjesë e forcave ligjzbatuese, udhëheqës fetar, mësues i komunitetit, ose përfaqësues i shoqërisë civile, jeni këtu sepse i kuptoni sfidat me të cilat ne përballemi. E kuptoni që ne jemi në një betejë ideologjish – një betejë e cila vendos vlerat tona të pluralizmit dhe pranimit kundër një ideologjie të ekstremizmit të dhunshëm”, – nënvizoi Moses-Ones.

Sipas saj, kjo betejë për idetë është pjesë thelbësore e luftës globale që duhet të fitojmë.

“Përgëzoj secilin prej jush për gjithçka që jeni duke bërë për t’u siguruar që vlerat tona paqësore të triumfojnë. Përkushtimi i Shteteve të Bashkuara për ta fituar këtë betejë është i vazhdueshëm dhe i vendosur. Përqasja jonë përshkruhet më së miri në Strategjinë Kombëtare Kundër Terrorizmit, të publikuar nga Shtëpia e Bardhë muajin e kaluar. Në thelb të kësaj strategjie qëndron theksi për punën me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë në “përkrahjen dhe institucionalizimin e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm”. Ju jeni ndër ata partnerë ndërkombëtarë të afërt dhe aleatë të besuar. Dua t’ju falënderoj për përkushtimin tuaj ndaj qëllimeve tona të përbashkëta”, – theksoi ajo.

Së bashku, po çojmë përpara anembanë Shqipërisë projekte të rëndësishme për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm.

“Po punojmë së bashku për t’i ngritur shkollat si qendra komunitare, për të mbështetur funksionimin e Qendrës Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm dhe për të zbatuar reformën në burgje, për t’u siguruar që ekstremizmi i dhunshëm të mos ketë mundësi të përhapet. Jemi partnerët tuaj krenarë në secilën prej këtyre nismave”, – përfundoi Moses-Ones. /k.s/e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSHBA – Trump akuzon mediet ”Fake News” si nxitëse të dhunës
Artikulli tjetërLezhë, sistemi dixhital rrit efikasitetin e shërbimeve