Shqipëri-Gjermani, intensifikim i bashkëpunimit për reformat kyçe

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ – Shqipëria dhe Gjermania kanë intensifikuar bashkëpunimin në reformat kyçe me fokus integrimin europian të vendit dhe rritjen e ndërveprimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati priti në takim parlamentarët e Delegacionit të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorit të Bundestagut.

Ministri Bushati vlerësoi intensifikimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë gjatë këtyre viteve të fundit, gjë e cila dëshmohet me numrin e lartë të vizitave të nivelit të lartë në të dy vendet, që kanë sjellë si rezultat intensifikimin e bashkëpunimit në reformat kyçe me fokus integrimin europian të vendit dhe rritjen e ndërveprimit rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ministri Bushati bërë një pasqyrë gjithëpërfshirëse të reformave prioritare në sistemin e drejtësisë, procesin e Vetingut, reformën zgjedhore, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke falënderuar parlamentarët gjermanë për asistencën, partneritetin dhe bashkëpunimin për jetësimin e këtyre reformave.

Kryetari i delegacionit të Bundestagut, Stephan Brander u shpreh se ky udhëtim i parë rajonal i Delegacionit të Komisionit për Çështjet Ligjore të Bundestag, i cili nis nga Shqipëria, është tregues i rëndësisë që ka Shqipëria për Europën dhe Gjermaninë, në veçanti. U vlerësua rëndësia e bashkëpunimit të gjithë spektrit politik shqiptar për ecurinë e reformave integruese në vend. Theks i veçantë u vendos në rolin konstruktiv të Shqipërisë me synimin për të qenë katalizatore e një paqeje të qëndrueshme në rajon.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.