TIRANË, 25 tetor /ATSH/- Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj, shpjegoi sot se fatura financiare që shoqëron buxhetin e shtetit, pas procesit të mbylljes së lojërave të fatit, do të rrisë punën e institucioneve për përmirësimin e administrimit dhe zgjerimin e bazës së tatueshme.
Mbyllja e lojërave të fatit më 31 dhjetor 2018 ka krijuar debate në publik, pasi është një çështje sociale dhe ekonomike.
“Por, – tha ministri, – dua të sqaroj opinionin, se në planifikimin buxhetor 2019 nuk e kemi marrë parasysh që do të ketë mbi 5,4 miliardë lekë më pak, përkundrazi, i kemi vendosur sfidë vetes sonë dhe administratës të mbledhjes së të ardhurave, që nuk ka rëndësi nëse ky burim mungon, por duhet ta zëvendësojmë burimin nëpërmjet përmirësimit të administrimit dhe zgjerimit të bazës së tatueshme”.
Pra, argumenti ekonomik nuk qëndron, theksoi Ahmetaj.
“Vendimi i Kryeministrit për të mbyllur këto kategori është i maturuar me një emërues të përbashkët. Dikush mund të thotë pse tani. Gjithë vëmendja u fokusua te shqetësimi i qytetarëve. Lojërat e fatit u kthyen në gangrenë dhe në këtë reflektim kjo mazhorancë mori këtë vendim të maturuar. Nuk ka kthim pas, në 1 janar këto kategori nuk do të ekzistojnë më”, – përfundoi ministri Ahmetaj. e.xh/j.p/











