TIRANË, 23 tetor /ATSH/ – “Këshilli Europian i qershorit, vlerësoi arritjet e qenësishme të Shqipërisë në drejtim të zbatimit të reformës gjithëpërfshirëse në drejtësi, dhe ecurisë së pesë prioriteteve kyçe”, – deklaroi zv.Kryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla, gjatë hapjes së Shkollës Europiane 2018.
Balla theksoi se KE, “dakordësoi që t’i përgjigjet pozitivisht këtij progresi, duke përcaktuar rrugën drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit në qershor të vitit 2019″.
Balla e vlerësoi të një rëndësie të veçantë këtë edicion të Shkollës Europiane për vetë momentin e rëndësishëm të procesit të integrimit të vendit tonë, duke theksuar se, aftësimi për negociatat e anëtarësimit duhet të përfshijë, jo vetëm administratën publike, por edhe aktorët e tjerë në proces.
“Gjithëpërfshirja, si një nga kërkesat thelbësore të procesit të integrimit europian, do të jetë e suksesshme vetëm nëpërmjet rritjes së përfshirjes së gjithë aktorëve të shoqërisë në proces dhe forcimit të vazhdueshëm të kapaciteteve të tyre në çështjet e integrimit europian”, – tha Balla.
Ky është edicioni i tretë i Shkollës Europiane, e cila synon të identifikojë dhe angazhojë aktorë të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, duke krijuar kështu një grup të konsoliduar ekspertësh me njohuri të thella mbi procesin e integrimit europian.
Shkolla Europiane 2018 do të zhvillohet gjatë javës 22-26 tetor. Leksionet do të mbahen nga profesorë të njohur, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për integrimin europian dhe procesin e zgjerimit. Gjithashtu, Shkolla Europiane do të përfshijë seanca bashkëbisedimi me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, të cilët do të diskutojnë me pjesëmarrësit mbi ecurinë, sfidat dhe skenarët e mundshëm në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Pjesëmarrësit e zgjedhur nga administrata publike në nivel qendror dhe lokal, shoqëria civile, akademia, media dhe komuniteti i biznesit, u përshëndeten nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, i cili theksoi se Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me partnerët mbështetës të Shkollës Europiane po krijon tashmë një traditë të suksesshme në kontribuimin për fuqizimin e vazhdueshëm të kapaciteteve administrative në çështjet e integrimit europian.
/gj.mima/ /a.g/











