Ballina Aktualitet

Integrimi, Italia mbështet reformat e Shqipërisë

TIRANË, 23 tetor /ATSH/ – Italia mbështet rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian si dhe reformat e ndërmarra nga Shqipëria në kuadër të hapjes së negociatave.

Ministrja italiane e Mbrojtjes, Elisabetta Trenta, në daljen e përbashkët për median pas takimit në Tiranë me homologen Olta Xhaçka, theksoi se vizita e sotme i hap rrugën një sërë vizitash që do të vijojnë në muajt e ardhshëm nga ana e anëtarëve të tjerë të qeverisë italiane.

“Me kolegen Xhaçka folëm për disa argumente me interes të përbashkët”, tha Trenta, duke shtuar se, “folëm për forcimin e bashkëpunimit bilateral në sektorin e stërvitjes, të mjekësisë ushtarake, për bashkëpunimin në misionet ndërkombëtare ushtarake, sidomos në Afganistan si dhe për situatën politike–ushtarake, në kuadrin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për rolin thelbësor të Shqipërisë në këtë kuadër”

Një temë e rëndësishme e diskutimit, vijoi Trenta, “ishte ajo që NATO po i kushton sfidave në pjesën jugore të Aleancës që na ka parë promotorë të disa iniciativave në Bruksel”.

Po ashtu nënvizoi Trenta, “patëm mundësinë të thellojmë bashkëpunimin mes ministrive të Mbrojtjes nëpërmjet një workshop-i, ku do të marrin pjesë shoqëritë kryesore në këtë sektor”.

/gj.mima/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakVetingu, zgjidhet trupa gjykuese për gjyqtarin Admir Thanza
Artikulli tjetër“Forca e Ligjit”, goditet një tjetër grup kriminal