TIRANË, 22 tetor /ATSH/ – Pajisja e fermerëve me titujt e pronësisë së tokës, është një ndër sfidat e radhës për Ministrinë e Bujqësisë.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi shprehet lidhur me këtë çështje se aktualisht pothuajse 50% e titujve të pronësisë nuk janë të regjistruar në Hipotekë.
“Çështja e pronës është pika më e dobët, jo vetëm për bujqësinë, por në përgjithësi. Pothuajse 50% e titujve të pronësisë nuk janë të regjistruar në Hipotekë. Kemi disa zona në veri sidomos, por jo vetëm, ku ligji 7501 nuk është zbatuar fare, pra është një mori çështjesh që duhen zgjidhur derisa të kemi fermerë që kanë një tapi për tokën që punojnë”, tha ministri Peleshi.
Pronësia mbi tokën, thotë ministri i hap rrugë zhvillimit të tregut të tokës, kooperimit dhe bujqësisë në përgjithësi.
“Nëse nuk shkëmbehet, nuk shitet, nuk jepet me qira, ne pastaj s’mund të flasim dot për ndërtimin e fermave më të mëdha dhe për të rritur madhësinë mesatare të fermës që sot e kemi 1-1,3 ha”, – tha Peleshi.
Qeveria është e angazhuar të ndajë titujt e pronësisë për të gjithë ata, që prej kaq shumë vitesh vazhdojnë punojnë tokën e tyre, me familjet e tyre dhe ende nuk janë bërë dot pronarë të tokës.
Zbatimi i këtij procesi shënon edhe fillimin e fundit të kapitullit të gjatë të zvarritjes, konflikteve e stërmundimit të atyre që jetojnë në fshat, por edhe e kthen tokën bujqësore nga një kapital i vdekur në një kapital të qarkullueshëm.
“Ky është edhe fillimi i një kapitulli të ri për bujqësinë, blegtorinë dhe gjithë hapësirën shqiptare të fshatit, sepse është fillimi i një formalizimi të tregut të tokës”, – shprehet Peleshi. e.xh/j.p/





















