Ballina Lajme nga Vendi

Ndërmjetësonin te pedagogët për të ndikuar te nota e provimit, tre të arrestuar

TIRANË, 17 tetor/ATSH – A. Fortuzi/ – Policia e Elbasanit ka arrestuar tre persona, që dyshohet se ndikonin te pedagogët për notën e provimit për llogari të të tretëve.

Operacioni  për kapjen e tre shtetasve të dyshuar u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik në DVP Elbasan në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit pas një hetimi dymujor me metoda speciale të hetimit. Finalizimi i operacionit u bë nga Policia e Elbasanit me mbështetjen edhe të Njësisë e Forcës së Posaçme, Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Operacioni policor “Sezoni“, u zhvillua në funksion të Procedimit Penal të vitit 2018, pas një hetimi 2-mujor në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan dhe Njësinë e Forcës së Posaçme, Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u bë i mundur dokumentimi ligjor i aktivitetit kriminal dhe ekzekutimi i Urdhërit për ndalimin e të dyshuarve për krim, konkretisht:

Skënder Stafa, 46 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Precë e Poshtme, Njësia Administrative Funar, bashkia Elbasan. Qamil Murataj, 49 vjeç, lindur në Shikaj, Kukës dhe banues në Mëzez-Fushë, Njësia Administrative Kasar, Tiranë. Medi Hana, 50 vjeç, lindur dhe banues në Skënderbe, Njësia Administrative Rrajcë, bashkia Përrenjas.

Shtetasit e lartpërmendur ndërmjetësonin te pedagogët për të marrë notën kaluese në shkëmbim të vlerave monetare.

Ndalimi i personave të sipërpërmendur u bë për kryerjen e veprës penale “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike“. Për arsye hetimi nuk bëhen me dije të tjera detaje.

Vazhdojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBashkëqeverisja në ndihmë të komunitetit, rikonstruktohet ura e Petranit
Artikulli tjetërPolica e Dibrës parandalon krimin, arrestohen katër persona