Ballina Aktualitet

Ankimimi, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e Xhezair Zaganjorit

TIRANË, 12 tetor /ATSH- I. Vata/ – Komisioneri Publik ka depozituar ankimim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe mori në konsideratë rekomandimin e paraqitur nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit Xhezair Zaganjori, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë gjyqësore dhe në përfundim të gjykimit të ndryshojë vendimin nr.46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konfirmuar në detyrë më 24 korrik, kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin. /j.p/

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSTOKHOLM – Maryse Conde merr çmimin zëvendësues të Nobelit në Letërsi
Artikulli tjetërKosovë, ambasadorët mbështesin reformat “Drejtësia 2020”