TIRANË, 10 tetor /ATSH/ – Kombëtarja U-21 do të luajë të enjten në mbrëmje në stadiumin ”Selman Stërmasi”, ndeshjen me Spanjën. Kombëtarja U-21 do të ketë përballë një kundërshtar shumë të vështirë, që është dhe kryesues i grupit.
Trajneri Alban Bushi, tha gjatë konferencës për shtyp se ” Spanjën e njohim, dhe dihet për potencialet e saj në sulm. Për ndeshjen e nesërme kemi vendosur në momentet e volitshme të sulmojmë, por duke pasur shumë kujdes prapa, pasi dihen edhe resurset e skuadrës spanjolle, e cila menjëherë merr ofensivën. Jemi munduar të bëjmë modifikimet e duhura në aspektin difensiv. Problemi i mbrojtjes është një çështje që vijon të mbetet shqetësuese. Dhe nuk është vetëm problem për ekipin kombëtar U-21, por edhe për ekipin e parë”.
Ndërsa, kapiteni Kejdi Bare tha se skuadra është e ndërgjegjshme për forcën e kundërshtarit. ” E njohim forcën e kundërshtarit, por edhe ne do të bëjmë më të mirën tonë në këtë takim. Kemi punuar gjatë këtyre ditëve me trajnerin dhe skuadrën. Besojmë në një prezantim shumë të mirë të ekipit. o/l/.j.p/























