Ballina Lajme nga Vendi

Sensibilizimi për kancerin e gjirit, rritet numri i kontrolleve

TIRANË, 8 tetor/ATSH/-Vitet e fundit, gratë janë ndërgjegjësuar lidhur me sëmundjen e kancerit të gjirit, duke bërë kontrolle të vazhdueshme çka ka bërë që shumë prej tyre të mund të kapin sëmundjen në kohë.

Kështu u shpreh, Lumturi Mërkuri, specialiste pranë Institutit të Shëndetit Publik gjatë një interviste televizive, dhënë disa minuta më parë. Ajo e konsideroi një tendencë në rritje të rasteve të sëmundjes së kancerit të gjirit, por kjo e fundit jo vetëm tendencë Shqiptare por edhe botërore.

Megjithëse, Mërkuri vuri në dukje se edhe pse numri shfaqjes së kësaj sëmundje është rritur, vdekshmëria nuk është rritur. Kjo sipas saj, përkthehet në kapjen e sëmundjes në kohë.

Vitet e fundit vdekshmëria nuk është rritur, çka do të thotë që gratë kanë filluar të kujdesen për veten e tyre. Gratë kanë filluar të kontrollohen dhe ta kapin sëmundjen në kohë. Gratë janë ndërgjegjësuar pasi ato kryejnë kontrolle jo vetëm në muajin tetor por  gjatë gjithë vitit.

Por, cilat gra rrezikohen më shumë nga kjo sëmundje?

Specialistja e ISHP-së ka thënë se janë disa kategori që preken nga kjo sëmundje. Ajo ka sjellë në vëmendje gratë që janë mbipeshë, gratë e martuara herët apo shumë vonë, gratë të cilat nuk kanë lindur fëmijë, gratë që nuk e kanë ushqyer me gji fëmijën, gra që kanë probleme me menstruacionet apo gra të cilat kanë lindur fëmijë shumë vonë, të cilave u kanë ardhur menstruacionet vonë. Gratë nga këto kategori janë më më të rrezikuara.

Nga 50 vjeç e sipër është mundësia më e lartë. “Në 2006 kemi filluar me fushata sensibilizimi ndërsa sot situata është shumë më ndryshe. Sot gratë presin radhën për të bërë mamografi. Rritja e ndërgjegjësimit ka ardhur edhe si pasojë e mamografëve të lëvizshëm nëpër qytete sipas një kalendari të përcaktuar”, -u shpreh Mërkuri.

Ajo theksoi se tendenca e jetës moderne, pra e të martuarit vonë është një tjetër faktor në shfaqjen e kancerit të gjirit.

z.tosku/ j.p/

 

 

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTepelenë/ Nxënësit e gjimnazit “Abaz Shehu” pastrojnë qytetin
Artikulli tjetërSOFT NEWS – Pezullohet sepse i la timonin… majmunit!