Rita Ora thyen rekordin 30-vjeçar në historinë e muzikës britanike

TIRANË,8 tetor /ATSH/ – Kanë mjaftuar vetëm 6 vjet që nga 2012 kur Rita Ora, këngëtarja britanike me origjinë shqiptare, të hyjë në historinë e muzikës britanike, duke u bërë si këngëtarja me më shumë këngë “single” në dhjetë vendet e para të klasifikimit muzikor zyrtar të muzikës, UK Charts.

Rita Ora, me këngën e fundit “Let you love me”, thyen kështu një rekord të mbajtur prej 30 vjetësh, duke kaluar rekordin e ikonës së muzikës britanike Shirley Bassey.

Rita Ora do të nxjerrë albumin e saj më të ri “Phoenix” në fund të nëntorit, ndërkohë që nga qershori i vitit të kaluar pesë nga këngët e saj kanë qenë çdo herë në dhjetë këngët më të mira të klasifikimit të këngëve më të mira në Britani, të njohur si UK Charts.

Në një zhvillim tjetër, këngëtarja me origjinë shqiptare, sipas The Sunday Times të Londrës, bashkë me yje të tjerë të muzikës vendase si Ed Sheeran, Bob Geldof, Sting e etj i kanë dërguar një letër Kryeministres britanike Theresa May, ku e paralajmërojnë për rrezikun e Brexit ndaj industrisë muzikore britanike, duke filluar nga turnet muzikore, shitjet, dhe legjislacioni për të drejtën e autorit.

Vitin e kaluar, industria britanike e muzikës pati një rritje prej 10 për qind, duke kapur shifrën e 92 miliardë stërlinave. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.