Përshkallëzohet “Forca e ligjit”, priten arrestime të tjera

TIRANË, 8 Tetor/ATSH-Maela Marini/ “Në 11 muaj në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” janë sekuestruar 16 milionë euro asete kriminale”, tha sot Kryeministri Edi Rama, duke siguruar se lufta kundër krimit do të përshkallëzohet më tutje.

Nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, Kryeministri garantoi se “140 personave që janë prapa hekurave nga ofensiva e operacionit “Forca e ligjit”, do t’u shtohen të tjerë dhe “Forca e ligjit” nuk do të ndalet para askujt”.

Duke iu përgjigjur sulmeve të opozitës ndaj qeverisë për luftën kundër krimit, Kryeministri Rama solli si shembull vetëm faktin se në 2013, në qeverisjen demokrate, u sekuestrua 1.2 milionë euro, ndërsa vetëm në 11 muajt e fundit në kuadër të “Forca e ligjit” u sekuestruan 16 milionë euro.

Kryeministri po ashtu iu përgjigj edhe sulmeve të opozitës për përfshirjen e deputetëve të PS-së me elementë kriminalë.

“Nëse bëjmë një llogari shumë të thjeshtë, një ish-Ministër i Brendshëm është nën hetim, pa asnjë mbrojtje politike dhe i përjashtuar nga e gjithë jeta jonë politike, deri kur drejtësia të thotë fjalën e fundit. Kush e ka bërë ndonjëherë këtë në historinë e këtij vendi. Vëllai i Ministrit të Brendshëm sot kryen një dënim mbi 20 vjet të vjetër, pa asnjë detyrim ligjor ndaj Republikës së Shqipërisë, dhe kjo vetëm sepse ne jemi ndryshe. Sot djali i një deputeti është në burg”, shtoi Rama.

Kryeministri theksoi se, ndërkohë që për vite me radhë PS u baltos sikur ishte një grup parlamentar me 10 kriminelë, pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit nuk doli asnjë, sepse edhe Arben Ndoka që prekej nga ligji dha dorëheqjen më parë”. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.