Borchardt: Zero tolerancë për dhunën me bazë gjinore

TIRANË, 8 tetor /ATSH/- Ambasadori i prezencës së OSBE-së në Tiranë Bernd Borchardt apeloi për tolerancë zero ndaj dhunës me bazë gjinore.

”Nevojitet tolerancë zero për dhunën me bazë gjinore, ajo nuk duhet lejuar në asnjë shoqëri dhe aq më pak në një demokraci”, tha sot Kryetari i Prezencës së OSBE-së Ambasadori Bernd Borchardt”. Sipas Borchardt, forcat e policisë duhet të luajnë një rol të dorës së parë për parandalimin dhe luftën ndaj këtij fenomeni.

Këtë deklarate ambasadori i OSBE-së në Tirane e bëri gjatë trajnimit dyditor për personelin e policisë dhe shoqërinë civile, të organizuar bashkërisht nga Prezenca, Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut (ODIHR) dhe Ministria e Brendshme e cila përfaqësohej nga Zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko.

Trajnimi ka në fokus vënien në zbatim të Rezolutës nr. 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe forcimin e mbikëqyrjes policore në luftë kundër dhunës me bazë gjinore.

Borchardt tha se ”Shqipëria ka bërë përparime në këtë drejtim, por ende mbetet shumë për t’u bërë. Nevojiten veprime konkrete krahas përshtatjes dhe miratimit të legjislacionit përkatës. Ky trajnim po ndodh në kohën e duhur, duke pasur parasysh një rast të dhunës me bazë gjinore që u bë publik javët e fundit dhe që e shfaqi në një mënyrë edhe më të prekshme nevojën për profesionalizëm të patëmetë nga ana e policisë gjyqësore shqiptare gjatë hetimit të këtyre çështjeve. Nuk duhet të ketë hapësirë për interpretim në kësi rastesh. Pikërisht nga reagimi dhe performanca e policisë në kësi rastesh varet edhe besimi i qytetarëve në shtetin e së drejtë”, shtoi Ambasadori Borchardt. o/l/.j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.