TIRANË, 4 tetor/ATSH/- “Udha e Paqes” ka startuar këtë vit nga Shkodra, duke patur në qendër biçikletën, mjetin tradicional lëvizës të qytetit verior.
Projekti ndërkombëtar që organizohet çdo vit në mbi 120 kombe, ishte një rast i shkëlqyer për të evidentuar vlerat e padiskutueshme të Shkodrës, edhe në funksion të ndërtimit të paqes.
Në mënyrë simbolike, 100 të rinj pedaluan me biçikleta në rrugët e qytetit për të shpërndarë mesazhin e “Udhës së Paqes” tek të gjithë ne.
Kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, falënderon Federatën e Paqes Universale, duke e bërë “Ambasadore të Paqes”.
“Ky është vlerësim, por edhe përgjegjësi për të shpërndarë mesazhin e rëndësishëm në Shkodër e përtej saj”, shprehet Ademi.
Shkodra është qyteti i përzgjedhur në Shqipëri, mes 120 vendeve në të gjithë botën për nismën federatës së paqes universale, Udha e Paqes. E iniciuar si mënyrë për të nxitur bashkimin mes dy Koreve dhe për zhvillimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, ky projekt zhvillohet në një numër të vendeve të botës për të promovuar paqen dhe bashkëpunimin mes njerëzve dhe kombeve. /k.s/j.p/

















