TIRANË, 1 tetor/ATSH/ – Barnat dhe materialet mjekësore që përdoren në shërbimet mjekësore të QSUT janë konform çdo standardi dhe sigurie për pacientët.
Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar pas artikullit të “Birn”, duke theksuar se artikulli nuk ka asnjë lidhje me cilësinë e barnave që përdoren në shërbimet mjekësore në QSUT.
Sipas kësaj drejtorie, barnat e skaduara magazinohen në ambiente të veçanta, të izoluara nga barnat e tjera dhe konform Legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.
Reagimi i plotë i Drejtorisë së QSUT “Nënë tereza”
Drejtoria e QSUT “Nënë Tereza” sqaron lidhur me shkrimin e botuar në “BIRN” me titull “Mali i ilaçeve të skaduara në QSUT, shkakton kosto të shumëfishta”, se barnat dhe materialet mjekësore që përdoren në shërbimet mjekësore të QSUT janë konform çdo standardi dhe sigurie për pacientët.
“Në lidhje me barnat e skaduara ju sqarojmë se, ekziston një situatë problematike e trashëguar prej rreth 10 vitesh. Shkrimi i publikuar në “BIRN”, nuk ka asnjë lidhje me sigurinë dhe cilësinë e barnave që përdoren për pacientët në QSUT, të cilat janë të sigurta, brenda afateve kohore të skadencës.
Sqarojmë se barnat e skaduara janë magazinuar në ambiente të veçanta, të izoluara nga barnat e tjera, sipas Legjislacionit të Republikës së Shqipërisë.
Që prej vitit 2014 në QSUT aplikohet një procedurë e marrjes në dorëzim të barnave, bazuar në kontratat që lidhen mes operatorëve ekonomikë dhe QSUT-së, ku është shtuar një nen, i cili thotë se “në të gjitha rastet kur barnat skadojnë, do të zëvendësohen me të njëjtin artikull, por me afat më të gjatë skadence”. Gjithashtu ju bëjmë me dije se vitet e fundit, edhe donacionet për barnat, janë bërë me marrëveshje me firmat farmaceutike dhuruese, ku deklarohet se në rastet e mospërdorimit të këtij bari, do të tërhiqet sasia e mbetur nga donacioni, mbrapsht. Kjo marrëveshje ka sjellë që sasia e barnave të dhuruara që nuk përdoren, të tërhiqen nga këto firma dhe të minimizohet sasia e barnave jashtë përdorimit në vitet e fundit.
Përsa u përket barnave të skaduara që janë mbetje të trashëguara para vitit 2014, ju sqarojmë se në zërat e ndarë të Buxhetit është parashikuar, planifikuar dhe është zhvilluar procedura në tenderim publik për asgjësimin e këtyre barnave të skaduara ndër vite. Operatorët ekonomikë ofertues nuk kanë plotësuar standardet e kërkuara sipas Legjislacionit në fuqi për evadimin dhe asgjësimin e këtyre barnave, duke u skualifikuar kështu nga kjo procedurë dhe duke çuar në anulimin e tenderit.
Aktualisht jemi në proces tenderimi për herë të dytë për këtë vit të procedurës për evadimin dhe asgjesimin e barnave të skaduara.
Theksojmë se elementet krahasimorë në këtë shkrim, nuk qëndrojnë, sepse nuk mund të krahasohet gjendja reale e stokut të barnave në përdorim (brenda afatit të skadencës), të disponueshme në Farmacinë Qendrore të QSUT, kundrejt stokut të barnave të skaduara, të akumuluara gjatë 10 viteve të fundit. /e.caushi/


















