TIRANË, 30 shtator /ATSH/ – Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë. Kështu u shpreh kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas arrestimit të djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili akuzohet për dhunimin e 25-vjeçares Xhisiela Maloku.
Balla shkruan se “Përpara ligjit ne jemi te gjithë të barabartë përveç Saliut, Lulit dhe atyre që i shpëtuan prokurorisë, fale Saliut dhe Lulit qe nuk i zbatonin urdhrat e organit të akuzës. Barazia para ligjit për ne nuk është slogan, po parim themelor në fjalën tonë, në reformat dhe qëndrimet tona”.
“Ndalimi i djalit te deputetit na ndan qartë edhe njëherë nga ata që kemi përballë! Sepse jo vetëm nuk e pengojmë prokurorinë dhe as protestojmë kundër saj, po e mbështesim plotësisht. Drejtësia duhet ta thotë fjalën e saj deri në fund dhe shpresoj shumë që edhe autorët dhe heroi i “Babale” dyshit të marrin atë që takon nga organi i akuzës!”- shkruan Balla.
Rexhep Rraja u arrestua pas urdhrit të lëshuar nga Gjykata e Krujës e cila ka dhënë ‘arrest me burg’ në mungesë për të riun e akuzuar për dhunimin e Xhisiela Malokut. e.xh//e.caushi/





















