TIRANË, 25 shtator/ATSH-Maela Marini/ Programi “100 fshatrat” ka ngjallur interesin jo vetëm të aktorëve që shohin mundësi investimi, por edhe të partnerëve të huaj.
Kështu u shpreh sot nga Nivica, Kryeministri Edi Rama i cili tha se “janë gjithmonë e më shumë aktorët që duan të përfshihen në këtë program”.
“Kemi shqiptarë në emigrim që shohin mundësi investimi në vendlindjen e tyre, por edhe aktorë të tjerë që sot janë së bashku me ne dhe me profesionistët e fushës së planifikimit dhe zhvillimit rural. Ata na janë bashkuar në një përpjekje të përbashkët me Universitetin dhe botën akademike për të konkretizuar programin e ‘100 fshatrave'”, – tha Rama.
Kryeministri vlerësoi praninë në këtë aktivitet të përfaqësuesve të disa shteteve mike, si ambasadori i Suedisë, ambasadori i Austrisë dhe ambasadori i Republikës së Çekisë.
“Ata kanë ardhur për të dëshmuar interesin e tyre në funksion edhe të një programi binjakëzimi që ne e kemi ndërtuar me vendet e përfshira, për të lidhur bashkë realitete të ndryshme mes fshatrave dhe hapësirave publike në Shqipëri, me fshatra dhe hapësira publike në Europë e më gjerë”, – tha Rama. /j.p/





















