TIRANË, 21 shtator /ATSH- I. Vata/ – Përfaqësuesit e PPE, Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë, Patrick Voller dhe Presidentja e Grave të Partisë Popullore Europiane, Doris Pack, vunë në dukje se se krimi i organizuar do të vonojë më shumë integrimin europian.
“Dekriminalizimi i politikës është kyç për Shqipërinë dhe ligjet e miratuara duhet të vihen në zbatim. Forcimi i shtetit të së drejtës, lufta kundër korrupsionit, pavarësia në sistemin gjyqësor duhet të shënojë progres, por transferimi i prokurorëve siç ndodhi dje, nuk është një shenjë e mirë”, tha Voller.
Sipas tyre, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten dy kërkesa themelore në mënyrë që Shqipëria të bëjë përpara me negociatat vitin e ardhshëm.
“Le të themi se peshqit e mëdhenj dhe të paprekshmit, duhet të çohen përpara drejtësisë”, u shpreh Sekretari për Marrëdhëniet me Jashtë në Partinë Popullore Europiane.
Presidentja e Forumit të Grave të PPE, Doris Pack, vuri në dukje se Shqipëria ka bërë hapa pas, e cila shprehu shqetësim për veprimet e papranueshme të prokurorisë për mbylljen e dosjeve Tahiri dhe Shullazi.
“Kryeprokurorja e përkohshme po i nxjerr jashtë loje prokurorët që duhet të përballen me kriminelë të rrezikshëm dhe i dërgon ata në detyra të tjera. Ky është një simbol që tregon për veprime për të mos respektuar drejtësinë dhe për t’i shpëtuar daljes para gjykatës dhe sigurisht që është diçka që s’mund të pranohet”, – tha Pack.
Po ashtu Presidentja e Forumit të Grave të PPE, Pack pohon se “zyrtarët e BE-së kanë thënë vetëm që vendi është në rrugë të mbarë e kështu me radhë në vend që të vendosnin gishtin në plagë. Kjo ka qenë e turpshme dhe para zgjedhjeve të vitit të kaluar, i vetmi zë në Perëndim që fliste për kanabisin këtu isha unë. Nuk është se jemi kundër dikujt, por se jemi në favor të njerëzve që jetojnë në këtë vend”.
Patrick Voller dhe Doris Pack morën pjesë në konferencën ballkanike me temë “30 vjet më pas. Çfarë e mban Ballkanin jashtë BE. Roli i Gruas në procesin e Integrimit”, e organizuar nga Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë dhe Forumi i Grus së Partisë Popullore Europiane me mbështetjen e Fondacioneve Konrad Adenauer dhe Hanns Seidel. /j.p/











