TIRANË, 21 shtator /ATSH/ – Përcaktohet grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë akuzën në çështjen “Shullazi”.
Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar sot se, në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë është përcaktuar grupi i prokurorëve që do të përfaqësojnë në gjykim çështjen në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi.
“Emrat e prokurorëve do të bëhen publikë në seancën gjyqësore të radhës”, vijon më tej njoftimi i Prokurorisë.
Ditën e djeshme Prokuroria njoftoi se: “Prokurori i Përgjithshëm, Arta Marku duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e datës 19 shtator 2018 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, mbi refuzimin nga ana e prokurorëve për hedhjen e shortit në procedimin penal në gjykim në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, për kryerjen e veprave penale parashikuar nga nenet 109/b; 333/a; 334 etj.të Kodit Penal urdhëroi fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurorëve: Olsian Çela, Përparim Kulluri, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Arenc Çela, Edvin Kondili, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Blerim Tominaj dhe Besim Hajdarmataj”.
/gj.mima/j.p/




















