Teatri i Bylisit, nisja e një epoke të re për t’i rikthyer vlerat

TIRANË, 21 shtator/ATSH/ – Teatri “Bylis” në qytetin e Fierit është gati për nisjen e një epoke të re.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi, shprehet se “ende nuk ka nisur të funksionojë, por është gati për nisjen e një epoke të re të teatrit dhe për të rikthyer vlerat e tij”.

Godina e teatrit të Fierit iu nënshtrua gjatë këtij viti rikonstruksionit të plotë, duke bërë të mundur përmirësimin e kushteve për aktorët dhe artdashësit.

Rikonstruksioni përfshiu ndërhyrje në fasada, ambiente të brendshme, ndriçim dhe foni.
Teatri “Bylis” në Fier do të presë me një pamje të re artdashësit fierakë, që do të ndjekin shfaqjet e kësaj trupe.

Ky teatër u krijua në vitin 1971 nga bashkimi i trupës amatore të teatrit dramatik me një grup aktorësh të rinj të sapo diplomuar, të cilët u emëruan në Fier nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Teatri “Bylis” përfshinte në vetvete dy trupa teatrore: Teatrin Dramatik dhe Teatrin e Estradës.

Ai e nisi veprimtarinë në godinën e re të ndërtuar enkas për këtë qëllim (teatri i sotëm) me kapacitet spektatorësh prej 480 vendesh.

Në teatrin dramatik dhanë kontributin e tyre një grup i madh aktorësh, të cilët u dalluan për lojën kompakte vlerat artistike, disiplinën skenike, etj. Mund të përmendim për të gjithë nostalgjikët e teatrit emrat e: Hajrie Rondos, Muhamet Sherrit, Vladimir Muzhës, Leonard Poros, Dhimitër Janos, Aleksandër Pogaçes, Hatiqet Siqeces, Kujtim Jorgaqit, Andrea Pepit, Bajram Dostit, Agim Agollit, Diana Aliajt, Niko Vrushit, Merita Gjyriqit, Ilir Bezhanit, Xhelal Hoxhes, Gjergji Lales, Pano Panajotit, Mina Koxhakut, Fatos Selës, Astrit Hasanit, Dervish Bibës, Shpëtim Shehut, Zana Priftit, Aurela Hysenit, Roland Çarkes, Anita Sheplos, Antigoni Golemit, Bruna Borovës, Djana Aliaj, Donika Cenollit, Eli Priftit, Fatmir Kapllanit, Fitnete Tiços, Jetmira Dushit, Kiço Gjinit, Luçi Beles, Mimoza Zotaj, Niko Dhramit, Petrit Tunës, Vasilika e Kiço Londos, Dritan Boriçit, Krenar Trokës, Hateme Ruzhdia, Miola Sitaj, Mehmet Xhelili, si dhe të një plejade aktorësh amatorë./k.s/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.