TIRANË,19 shtator /ATSH/ – Berati mirëpret sot ”Festën e Birrës”, eventi më i madh festiv i kësaj vjeshte në qytetin e “njëmijë e një dritareve”.
Qindra qytetarë dhe turistë nga i gjithë vendi por jo vetëm, do të mund të shijojnë sot atmosferën në sheshin “Teodor Muzaka”, në kuadër të festës së birrës, ose ndryshe, festa e miqësisë.
Publiku do argëtohet nën ritmet e super muzikës me pjesëmarrjen e Era Rusit, Land Kademi, Orgesa Zaimi dhe Dj Fredi etj.
Stafi organizativ në bashkinë e Beratit, po vijon punën për organizimin e kësaj feste, ndërsa policia ka marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e saj.
Gjatë ditës mund të vizitosh atraksionet e qytetit, ndërsa në mbrëmje mund të shijosh festën e organizuar me këtë rast nën ritmet e muzikës e duke trokitur gotat mes miqve.
Festa e Birrës, e kthyer tashmë në traditë, është një ngjarje mjaft e rëndësishme përsa i përket tërheqjes së vizitorëve, me qëllim promovimin e imazhit turistik në rajon.
Berati njihet ndryshe si një muze i gjallë në natyrë ku “ngjizen” natyrshëm historia, arti dhe arkitektura e monumenteve dhe shënoi një rekord historik, ku vetëm gjatë muajit gusht 2018 u vizitua nga 23000 vizitorë. /a.a/ j.p/











