Ballina Aktualitet

Reforma e vlerësimit të nxënësve, risi transparente dhe e besueshme

TIRANË, 14 shtator /ATSH – I. Vata/ – Reforma e vlerësimit të nxënësve është një risi, më transparente, më e saktë dhe më e besueshme, nxitëse për më shumë dije për fëmijët”, – u shpreh sot mësuesja Meda Hoxha, në takimin e Kryeministrit Rama me mësuesit e portalit “Mësues për Shqipërinë”.

Mësuesja me eksperiencë 30-vjeçare në arsim, Meda Hoxha aktualisht në shkollën “Kushtrimi i Lirisë”, vlerësoi reformë e re të nxënësve dhe e konsideron risi.

“Gjatë viteve të punës time kam një provojë ku mund të flas për vlerësimin e nxënësve për kurikulën e re, bazuar në kompetenca. Kompetenca nuk është gjë tjetër, veçse një demonstrim i njohurive e vlerave që nxënësi merr gjatë procesit mësimor. Nxënësit nuk vlerësohen sot ashtu siç janë vlerësuar më herët për përgjigjet apo njohuri të shkurtra apo vlerësimet me test, por vlerësohen edhe për pjesëmarrjen që bëjnë në një veprimtari të caktuar, për detyrat që bëjnë në klasë apo në shtëpi. Vlerësohen për punën krijuese, për mendimin kritik, për të gjitha aspektet e një procesi mësimor. Për arritjen e vlerësimit të kompetencave, nxënësit vlerësohen me tremujorë. Arritjet e një tremujori bëjnë të mundur që nxënësit të shohin se ku ka pika të dobëta për të ndërtuar punën e tij dhe përmirësuar rezultatin në vijim dhe kjo është një risi, përsa i përket vlerësimit”, – tha mësuesja.

Më tej, mësuesja shtoi se “po ashtu dhe mësuesi, duke njohur nxënësin në tremujorin e parë mund të fokusohet në tremujorin e dytë dhe të tretë në pikat më të dobëta. Edhe prindërit janë të favorizuar nga kjo reformë, sepse njohin punën e fëmijëve të tyre dhe bëhen pjesë e vlerësimit të mësuesit, duke parë portofolin e duke dhënë mendimin  e tyre, dakortësinë ose jo për vlerësimin që u është bërë fëmijëve të tyre”.

“Portofoli, duke qenë një shprehje e punës krijuese, punës hulumtuese të nxënësit, fut dhe një përqindje mjaft të mirë që është 20%, ndërkohë që vlerësimi i nxënësit në përfundim të vitit shkollor nuk bëhet më me një mesatare aritmetike, me një mesatare të marrë gjatë vitit, por nxënësi vlerësohet duke parë dhe progresin që ka bërë nga njëri tremujor në tjetrin. Një risi pozitive e kësaj reforme është se nxënësi nuk vlerësohet vetëm nga mësuesit, por vlerëson edhe veten e tij dhe ndërkohë vlerësohet dhe nga nxënësit e tjerë të klasës”, – tha mësuesja.

Në fund, Hoxha tha se “përsa i përket vlerësimit, përse i përket tre komponentëve, vlerëson mësuesi, nxënësi dhe vlerësohet nga të tjerët dhe ky proces është më transparent dhe rrit besimin te prindërit dhe te nxënësit dhe krijohet një bashkëpunim më i mirë i tyre për ecurinë e mësimit”. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHAPËSIRË – Space X: Kemi gati pasagjerin e parë në botë për në Hënë
Artikulli tjetërPortali “Mësues për Shqipërinë”, rritje e cilësisë së mësimdhënies