TIRANË, 10 shtator /ATSH/ – Rruga Elbasan-Gjinar, e inauguruar në vitin 2011, shumë shpejt shfaqi probleme në disa pjesë të saj, duke u kthyer deri sot, në një rrugë tejet të vështirë për qarkullimin e mjeteve në më shumë se 23 kilometra, ndërsa sinjalistika mungon në të gjithë gjatësinë e saj.
Në këto kushte, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) do të ndërhyjë për ta rehabilituar dhe për ta sjellë atë në një stad të ri rruge me standarde bashkëkohore dhe në shërbim të qytetarëve.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tender të ri në javën e parë të shtatorit për “Studim-projektim, rishikim i punimeve të mbetura në aksin rrugor Elbasan-Gjinar”.
Fondi limit i këtij tenderi është 2,236,401 lekë, studim i cili do të përcaktojë edhe sa fonde duhen marrë nga buxheti i shtetit për të përfunduar rrugën e nisur kohë më parë.
Investimi në këtë rrugë synon ti kthejë shpresën banorëve të kësaj zone që kalojnë këtu çdo ditë për një jetesë më të mirë, falë edhe resurseve turistike që bart fshati Gjinar dhe zona e Elbasanit.

/e.xh/j.p/























