TIRANË, 7 shtator /ATSH/- Deputetja socialiste, Blerina Gjylameti duke marrë fjalën gjatë punimeve të Asamblesë së Partisë Socialiste, që u zhvillua të premten në Tiranë, tha se, llogaridhënia ndaj qytetarëve është një model suksesi që duhet ta zbatojnë edhe përfaqësitë vendore.
“Kemi mbyllur një proces llogaridhënie që ishte një proces i domosdoshëm dhe mjaft dobiprurës, për qytarët që morën zgjidhje dhe përgjigje si kurrë më parë, për problemet e tyre”, tha Gjylameti.
Duke folur për sfidën e zgjedhjeve lokale në vitin 2019, Gjylameti u shpreh se kërkohet angazhim maksimal për forcimin e strukturave me burime njerëzore potenciale, për ngritjen e zinxhirit të vlerave.
Sfida për zgjedhet e elektorale 2019, tha ajo, është sfida që kemi me veten, ku Partia Socialiste ka qenë e angazhuar më shumë se kurrë për të përmirësuar punën në përgjigje të qytetarit dhe për qytetarët.
“Shqiptarët kanë folur me votën e tyre dhe ky është mandati i bashkëqeverisjes me njerëzit dhe ne do të punojmë më shumë për ta dhe me ta”, tha ajo. e.xh/j.p/






















