Ballina Aktualitet

Komunikimi me qytetarët, test për kryebashkiakët e ardhshëm

TIRANË, 7 shtator/ATSH-Maela Marini/ “Tani nis fushata e llogaridhënies së kryetarëve të bashkive dhe partia duhet të jetë aty për të kuptuar nëse e ka më për betejë kryetarin e bashkisë apo duhet të gjejë një tjetër”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke shtuar se “kjo fushatë në nivelin vendor do të vazhdojë deri para festave të fundvitit”.

Kryeministri paralajmëroi se “PS duhet të fillojë zgjedhjet vendore sot, menjëherë”. “Nuk duhet të presim fushatën dhe kjo jo për të fituar zgjedhjet, nuk është ky problemi ynë, pasi ndeshjen pa kundërshtarë e fiton kushdo. Problemi ynë është të fitojmë zgjedhjet duke kaluar përmes njerëzve, – tha Rama, duke shtuar se, – strategjia e PS-së duhet të jetë radikalisht tjetër”.

Kryeministri theksoi se “ne kemi nevojë të riorganizohemi rrënjësisht në territor duke marrë eksperiencat më të mira”.

“Pasqyra e rezultateve të zgjedhjeve të shkuara dhe diferencat mes Fierit dhe Tiranës tregojnë se çfarë do të thotë organizim kapilar dhe parti e organizuar me njerëzit dhe për njerëzit. Morëm në Fier 10 deputetë, ndërsa në Tiranë morëm më pak, megjithë punët e mëdha që kemi bërë në Tiranë”, – tha Rama.

Ndaj, sipas tij, nuk duhet të humbet më kohë me debatet shterpë me opozitën, por duhet të shkohet te njerëzit.

“Kemi humbur shumë kohë, unë jam përgjegjësi kryesor. Jemi konsumuar tmerrësisht duke u marrë ndonjëherë më shumë me opozitën sesa me njerëzit, që janë ata që na mbajnë në krahë. Vëmendja jonë duhet të jetë e gjitha te njerëzit”, – shtoi Rama.

Po ashtu, Rama tha se “nuk duhet më që lista e përfaqësuesve të këshillave bashkiakë të bëhet natën e fundit sipas qejfit dhe t’ia faturojmë PS-së, duke mos mbajtur asnjë përgjegjësi se si sillen”.

Ndërkohë, Kryeministri kërkoi që platforma e bashkëqeverijes të jetë interesi parësor i çdo kryebashkiaku. “Kjo duhet të ndryshojë menjëherë urgjentisht dhe do të jetë një nga kriteret e besimit që do t’i japim kryetarit të bashkisë që do rikandidojmë”, – shtoi Rama.

“PS duhet të jetë dhe do të bëhet me çdo kusht mishërim i shprehjes së popullit: ‘hallin që s’ma zgjidh, të paktën ma qaj’. Ky duhet të jetë motivi i çdo deputeti. Nuk mundet dot kushdo qoftë të mos marri përgjigje dhe zgjidhje kur i takon zgjidhja”, – tha Rama.

Problem kryesor në funksionimin e platfromës së bashkëqeverijes, sipas tij, mbetet pushteti vendor. “Niveli i përgjigjeve të bashkive socialiste është shumë i ulët, ndërsa ata të PD-së nuk përgjigjen fare, thua se platforma e ka të shkruar në ballë përkatësinë partiake”, – tha Rama. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakInflacioni drejt objektivit të BSH-së, arrin në 2.2%
Artikulli tjetërBasha: Vetingu për politikanët, si ai për prokurorët dhe gjyqtarët