FUTBOLL- Memushaj: Forca jonë është grupi

TIRANË, 4 Shtator/ATSH-A.Fortuzi/-  Në konferencën për shtyp të ditës së sotme ishte edhe mesfushori vlonjat i kuqezinjve, Ledian Memushaj, i cili theksoi se forca e kuqezinjve është grupi.

“Kur më erdhi oferta nga Peskara, nuk u mendova dy here dhe pranova. Në fillim kam qenë mirë te Benevento dhe luaja, por, kur doja të ikja në janar, kisha disa problem. Më pas u dëmtova e nuk luajta. Sa i takon kombëtares, na pret një ndeshje shumë e vështirë, jo si ajo në Izrael. Kundërshtari, duke na njohur mirë, do të kërkojë të luajë më shumë në mbrojtje, jo si në Izrael. Nuk e di cila kombëtare është më e fortë, ajo që lashë, apo kjo që gjej, sepse ende nuk kam bërë stërvitje. Ka shumë Djem të rinj këtu, që janë të fortë, por edhe ne që kemi qenë, jemi të fortë. Brezat ndërrohen në kombëtare, ndaj duhet edhe pak durim. Sidoqoftë, nuk duhet parë mosha, por kualiteti dhe forma e momentit e secilit futbollist. Ka kohë për djemtë e rinj, gjëja më e rëndësishme në kombëtare është të shihet forma. Personalisht, më ka munguar shumë kombëtarja, por pas kartonit të kuq nuk erdha, pasi isha i ndëshkuar, më pas u dëmtova dhe nuk kisha mundësi”, u shpreh mesfushori Memushaj.

Memushaj theksoi se në ndeshjen e ardhshme Kombëtarja duhet të luaj më mirë se ndeshja e zhvilluar ndaj ekipit kombëtar turk.

“Shpresoj që të premten të luajmë më mirë se ndaj Turqisë. Shqipërisë nuk i duhet vetëm Ledjani, por të gjithë. Ne nuk kemi lojtarë si Mesi, apo Ronaldo, por kemi grupin. Ky grup mund të shkojë përpara, por do të na mungojnë Roshi dhe Sadiku. Nuk flas për në fushë, por flas për aspektin si janë si njerëz jashtë fushe, pasi nuk i vlerësoj dot si trajner”, tha Memushaj./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.