TIRANË,3 shtator /ATSH- I. Vata/ – Parlamenti ka për të qenë një barrikadë e pakapërcyeshme, pasi në këtë sezon të ri parlamentar veprimi politik i Lëvizjes Socialiste për Integrim në parlament do jetë me moton “tolerancë zero ndaj kriminalitetit”, u shpreh kryetari i grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, në një deklaratë për mediat.
Vasili shton se numrat janë të parëndësishëm për ne në parlament, pasi 73 numra të mazhorancës s’kanë të bëjnë dhe përballja do jetë rifutja e ligjit për teatrin pas rrëzimit të ligjit nga presidenti.
Sipas Vasilit, kultura e pandëshkueshëmrisë tashmë zotëron pasi krimi ka zaptuar vendin dhe 70% e shqiptarëve duan të ikin nga Shqipëria, ndërsa papunësia shtohet.
Duke folur për reformën në drejtësi Vasili tha se reforma në drejtësi është një reformë e kapur.
“Një reformë në Drejtësi që prodhon padrejtësinë më të madhe ndaj shqiptarëve, duke ia kaluar shumë herë drejtësisë që lamë pas, duke qenë ricikluese e fenomeneve më të këqija të Drejtësisë së shkuar dhe kjo drejtësi e paralizuar ka bërë që të mos veprojë ndaj fenomeneve kriminale”, tha ai.
Vasili tha se Drejtësisë i mungojnë institucionet supreme dhe mungojnë instrumentat për ngritjen e drejtësisë së re.
“Një drejtësi që nuk ka kokë dhe drejtim, një drejtësi që nuk ka gjykatat supreme në vend, nuk ka as instrumentet themelorë të ngritjes së drejtësisë së re dhe si e tillë kemi një sistem drejtësie që mban kriminalitetin gjallë”, tha në fund Vasili. /j.p/











