TIRANË, 1 shtator/ATSH/ – Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin e Dubrovnikut u takua me ministrin e Jashtëm të Maltës, Varmelo Abela, me të cilin diskutoi mbi çështje të interesit të përbashkët mes dy vendeve.
Gjatë takimit Pacolli i kërkoi homologut të tij mbështetjen në procesin e anëtarësimit të vendit në Organizata Ndërkombëtare, me theks të veçantë anëtarësimin në INTERPOL.
Pacolli kërkoi që Malta të vazhdojë përkrahjen ndaj Kosovës si në rrafshin politik, ashtu edhe në zhvillimin e përgjithshëm.
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm nga Malta, Abelo theksoi se “Malta si deri tani do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në rrugëtimin e saj”.
Ndërsa në përgjigje të kërkesës për anëtarësimin në INTERPOL, ai u shpreh se “Malta do të marrë përsipër të diskutojë me disa vende mike, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe do të kërkojë votën e tyre në favor të Kosovës”.
Në fund të këtij takimi, ministri i Jashtëm Pacolli, ftoi ministrin Abelo që të vizitojë Kosovën. /k.s//r.e/
























