Ballina Lajme nga Vendi

Bolt përgatit debutimin në Australi

TIRANË, 28 Gusht /ATSH/ -Pas një jave përgatitje në Australi me skuadrën e Central Coast Mariners, rekordmeni i botës në garën e 100 dhe 200 metrave Usain Bolt pritet të debutojë ditën e premte në një ndeshje miqësore që ekipi i tij i futbollit do të luajë ndaj një ekipi amator.

Fituesi i 8 medaljeve të arta olimpike është përgatitur mirë gjatë kësaj periudhe dhe pritet të luajë si mesfushor i krahut të majtë në këtë miqësore.

“Jam pak nervoz dhe i tillë do të jem edhe në këtë ndeshje miqësore. Nuk është si të luaj në një takim bamirësie, kjo është një test i rëndësishëm për mua, pasi synoj të nis një karrierë si futbollist profesionist. E di që mund të bëj mjaft gabime, që nuk do të jetë ndeshja ime e përkryer, por do të jap maksimumin për ta bërë veten time të ndihet krenare”, deklaroi Usain Bolt.

Duke folur për përgatitjet që ka kryer gjatë ditëve të fundit, sprinteri xhamajkan, që gushtin e kaluar u largua nga atletika, shtoi: “Jam stërvitur si mesfushor i krahut të majtë, pozicioni që i përshtatet më së shumti karakteristikave të mia. Nuk pres që gjatë lojës të vrapoj lart e poshtë gjatë gjithë kohës, kjo është lojë grupi dhe jemi praktikuar mirë që t’i përshtatem lojës së skuadrës”, tha Bolt.

/gj.m/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNervozohet Mourinho: Kam më shumë tituj se 19 trajnerët e tjerë në Premier Ligë
Artikulli tjetërTabaku: Në Shqipëri, merr tender publik vetëm nëse ke lidhje me pushtetin