Turistë të huaj edhe në Malin me Gropa e në Bizë të Martaneshit

TIRANË,17 gusht/ATSH- I. Vata/ – Mali me Gropa dhe Biza e Martaneshit janë edhe një destinacion turistik i preferuar për turistë vendas dhe kryesisht të huaj.

Një nga pasuritë natyrore, Mali me Gropa dhe Biza e Martaneshit, janë një kurorë e rrallë e peizazhit natyror të Shqipërisë, të rralla nga bukuria, diversiteti dhe burimet natyrore.

Peizazhi i Malit me Gropa-Bizë-Martanesh ka sipërfaqe prej rreth 252.7 km2, ku përfshihen 182.9 km2 pyje, ripyllëzime, pyje të rrallë ose tokë me bimësi pyjore, 14.5 km2 sipërfaqe bujqësore dhe pemëtore, rreth 54.7 km2 kullota, livadhe me bimësi të rrallë dhe 0.4 km2 troje urbane, e përzier me tokë bujqësore, pemishte e pyje.

Zona qendrore përfshin habitatet pyjore natyrore të Brozh-Bardhetit, Snoit të Madh e të Vogël, Bizës, Ballenjës, Martaneshit, Panjetit dhe pjesë të pyjeve të Kostenjës; këto konsiderohen me vlera të larta natyrore dhe biologjike dhe ruhen të pashqetësuara dhe në përputhje me kriteret e administrimit të zonave të mbrojtura në nivel kombëtar.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka marrë masa për ruajtjen e zonave të mbrojtura në qarkun e Dibrës.

“Gjatë monitorimit në Peizazhin e Mbrojtur Mali me Gropa, Bizë-Martanesh vihet re një shtim i turistëve të huaj që duan të shijojnë bukuritë natyrore të këtij peizazhi”, shprehet Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Dibër. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.