PRISHTINË, 2 gusht/ATSH/- “Arbëreshët e Italisë përgjatë shekujve kanë kontribuar në ruajtjen e vlerave kombëtare dhe historike të shqiptarëve”, theksoi sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimi me Kryetarin e Komunës Arbëreshe Piana degli Albanesi në Sicili, Rosario Petta.
Kryeministri Haradinaj e njohu kryetarin Petta me arritjet e Kosovës në shumë fusha, veçanërisht në rrugën e integrimit euro-atlantik, zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.
“Në të kaluarën ka qenë i vështirë komunikimi. Tani kjo situatë ka ndryshuar për mirë dhe kjo na ofron më shumë zemrat, njohjet dhe dijet tona”, tha Haradinaj.
Kreu i qeverisë premtoi se “qeveria do të angazhohet në ruajtjen e këtij komunikimi, përmes takimeve dhe vizitave të dyanshme dhe adresimit të çështjeve me interes për të dyja palët”.
Kryeministri Haradinaj me këtë rast dhe me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe komunikimit me Arbëreshet e Italisë, e ka emëruar Rosario Petta këshilltar të jashtëm, që do të merret me çështjet e Arbëreshëve dhe e nderoi atë me Medaljen e Skënderbeut, për kontributin e dhënë në përparimin e raporteve./k.s/












