Ballina Ekonomi

15 mijë të punësuar në sektorin e turizmit, kryeson Durrësi

TIRANË, 2 gusht /ATSH/-Numri i të punësuarve në sektorin e turizmit për këtë sezon ka kapur shifrën e 15 mijë të punësuarve, shifër kjo disa herë më e lartë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Turizmi është kthyer tashmë një nga sektorët më të rëndësishëm në rritjen e ekonomisë shqiptare me impakt të drejtëpërdrejtë në rritjen e punësimit e të të ardhurave.

Vasilika Vjero, Drejtore e Përgjithshme e Tatimeve tha sot se, janë 15 mijë të punësuar në sektorin e turizmit,kryesisht në zonat bregdetare të vendit, ku numrin më të lartë të të angazhuarve në punë e mban rajoni i Durrësit, i pasur nga Vlora e Saranda që janë shndërruar tashmë në destinacione të fluksit turistik.

E pranishme në takimin që u zhvillua sot në Tiranë, me përfaqësues të institucioneve të përfshira direkt në mbarëvajtjen e sezonit turistik, Vjero u shpreh se, nga inspektimet dhe vizitat që ka kryer në subjektet tatimpaguese që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike të vendit, konstatohet me mjaft pozitivitet se është rritur punësimi në sektorin e turizmit dhe ky tren parashikohet të rritet më tej deri në fund të këtij sezoni të vitit 2018.

Kështu, në Durrës janë 5 458 të punësuar të rinj, në Vlorë 3 377, në Sarandë 2,208 dhe në Shkodër 1,777 të punësuar të rinj.

Rritjen e të punësuarve në vendin tonë këtë vit, e konfirmoi një ditë më parë edhe Banka Qendrore.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi të mërkurën për mediat se, rënia e papunësisë në 12,5% përbën nivelin më të ulët historik të papunësisë të regjistruar në Shqipëri, ndërsa po shënohet rritje progresive e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vendin tonë. e.xh/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMërgim Mavraj mbetet në Bundesliga 1, e kërkon Hanoveri
Artikulli tjetërKadiu: PD e vendosur të shfuqizojë çdo ligj që ul taksat për biznesin e bixhozit