Ballina Lajme nga Vendi

Bashkia Berat, dëgjesë publike për investimet

TIRANE, 26 korrik /ATSH/ -Në kuadër të përgatitjes së draftit përfundimtar të Planit Buxhetor Afatmesëm 2019 – 2021, Bashkia e Beratit ka nisur në Njësinë Administrative Sinjë dëgjesën e parë publike, me qëllim prezantimin e shërbimeve dhe investimeve kryesore që Bashkia e Beratit ka parashikuar të zbatojë gjatë këtij afati kohor.

Organizatorë të këtij procesi ishin Nënkryetari i Bashkisë, Çlirim Brisku, dhe Administratori i Njësisë Administrative Sinjë, Fitim Rrapaj.

Pjesëmarrës në këtë dëgjesë ishin Këshilltar i Kabinetit të Bashkisë, A. Mema, anëtarë të Njësisë Administrative Sinjë, kryetarë të fshatrave, banorë të zonës etj.

Gjatë dëgjesës publike, Nënkryetari i Bashkisë, Brisku, informoi pjesëmarrësit lidhur me qëllimin e organizmit të këtij procesi, ndërsa më pas bëri edhe një ekspoze të shkurtër të investimeve të bëra deri më tani dhe të atyre që janë parashikuar të zbatohen në këtë plan buxhetor, duke përcaktuar edhe prioritet kryesore për njësinë përkatëse.

Dëgjesa vazhdoi me diskutime të hapura, ku secili prej kryetarëve të fshatrave shtroi kërkesat e veta, të cilat kishin të bënin kryesisht me përmirësimin e infrastrukturës rrugore në akset kryesore e dytësore të lagjeve, përmirësimin e rrjetit të ujit të pijshëm, të ndriçimit dhe pastrimit, diferencimin dhe kategorizimin e taksave lokale sipas zonave, përmirësimin e kushteve në shkolla, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis fermerëve për ndërtimin e rrugëve që mundësojnë punimin e tokave bujqësore./e.malaj/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakCNN: Pse ia vlen ta vizitoni Liqenin e Shkodrës?
Artikulli tjetërSPANJË – Madridi nuk përjashton një shtyrje të afatit përfundimtar për Brexit