TIRANË, 4 korrik/ATSH/ – Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi sot në detyrë Prokuroren e Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku.
Trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa, Pamela Qirko dhe Suela Zhegu, e cilësoi të pastër figurën e kryeprokurores.
Komisioni i Pavarur Kualifikues nisi dje seancën për vlerësimin e aftësive profesionale dhe të figurës, si dhe pasurinë e Prokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku.
Arta Marku iu nënshtrua Vetting-ut me përparësi për shkak të detyrës që mban si Kryeprokurore e përkohshme ndërkohë që para se të merrte këtë detyrë, dha dorëheqjen nga kandidimi për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Ish-prokurorja e Shkodrës u zgjodh Kryeprokurore e përkohshme në Kuvend, më 18 dhjetor të vitit të shkuar, pas 17 vitesh punë në sistemin e drejtësisë. /m.m/























