Ballina Kryesore

Kërkesa në platformën e bashkëqeverisjes, punësohet i riu nga Hasi

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10155927099276523/

TIRANË, 2 korrik/ATSH-Maela Marini/ – “Rastet e njerëzve të zakonshëm që po përdorin platformën ‘shqiperiaqeduam.al’ shtohen dita-ditës dhe i tillë ishte edhe rasti i të riut nga Hasi, i cili u punësua pas adresimit në këtë platformë”.

Në një takim me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Kryeministri Edi Rama u shpreh se “zgjidhjet shtohen dhe po ashtu, bashkë me ndëshkimet e drejtuesve apo punonjësve përgjegjës”.

“Kush nuk u përgjigjet në kohë njerëzve të zakonshëm, nuk i ikën dot përgjegjësisë”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Kryeministri nënvizoi dobinë e vërtetë të kësaj platforme për të adresuar probleme të vjetra, për të zgjidhur halle të krijuara nga mungesa e gatishmërisë së administratës dhe në të njëjtën kohë edhe për të dhënë shkak që ne të korrigjojmë dhe përmirësojmë aspekte të ndryshme, që kanë të bëjnë ndonjëherë edhe me vetë bazën ligjore të funksionimit të administratës”.

Rasti i parë i cili është paraqitur sot në këtë takim, që gjeti zgjidhje përmes platformës së bashkëqeverisjes ishte rasti i Samuelit nga Hasi, i cili kishte kërkuar punësim.

Shërbimi Kombëtar i Punësimit në zonën përkatëse në bashkëpunim me Zyrën e Bashkëqeverisjes siguroi punësim për 17-vjeçarin brenda 10 ditëve, në një prej kompanive që po ndërton rrugë pranë zonës ku ai banon.

Duke falënderuar për dhënien e kësaj mundësie punësimi, i riu kërkoi po ashtu edhe strehim për familjen e tij.

“Babai ka që në muajin shkurt që më ka vdekur. Më ka rënë një barrë shumë e rëndë mbi shpinë. Mendoj që edhe zoti Kryeministër duhet të shikojë rastin tim. Kam nevojë për mbështetjen e tij. Nuk është problemi që vetëm unë të punësohem. Kam edhe dy motrat më të mëdha, edhe mami që është e aftë për punë. Por edhe strehimin. Strehimi është një gjë që e kërkoj që kur, sepse shtëpia që banoj është e xhaxhallarëve. Kjo barrë që më ka rënë tash prej 4-5 muajsh është shumë e rëndë, sepse nuk ia dija as babait tim që kur e kisha gjallë, mendoja vetëm të dilja, të shëtisja me shokët, sepse nuk e dija se çfarë më priste. Këtë gjë e kuptova pas vdekjes së tij. Kërkoj nga zoti Kryeministër, të paktën, vetëm strehimin ta kem të sigurt, sepse dita-ditës shtëpia edhe po shembet, edhe xhaxhallarët kërkojnë që të dal nga ajo shtëpi, se nuk është e imja”, u shpreh Samuel Shatri.

“Rasti i Samuelit është një rast jo i izoluar, por është një nga ato raste për të cilat patjetër që ne kemi jemi shumë të angazhuar që t’i adresojmë, por sigurisht kemi edhe ne kufizimet tona, përshembull kur vjen fjala tek strehimi. Kjo është një temë ekskluzivisht e pushtetit vendor, por nuk dua në asnjë mënyrë që të heq nga vetja përgjegjësinë për të bërë përpjekjen e duhur dhe për të adresuar këtë rast konkret”, – tha Kryeministri.

Ajo që vlen të theksohet, vijoi ai, është fakti se Samueli menjëherë mori përgjigje pas kërkesës së tij për punë.

“Duke pasur parasysh edhe kualifikimin e munguar në këtë fazë të jetës së tij ne iu përgjigjëm. Shfrytëzoj momentin të bëj thirrje për të gjithë ata që duan të punojnë dhe nuk e kanë kusht punën në shtet, që t’i drejtohen edhe Zyrës së Bashkëqeverisjes, që ka një sërë eksperiencash pozitive bashkëpunimi me Zyrën e Punës, ashtu sikurse edhe drejtpëdrejtë Zyrën e Punës, që çdo muaj sjell qindra raste të zgjidhura”, – tha Rama. /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLehtësitë fiskale në agroturizëm
Artikulli tjetërFleckenstein: Asnjë kusht shtesë për Shqipërinë, opozita të mos bojkotojë