TIRANË, 28 qershor /ATSH- I. Vata/ – Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit pas ekspozitës në Tiranë është zhvendosur në Konispol me moton dialog me komunitetin vendas, në kuadër të ekspozitës arkivore të rezistencës antikomuniste në këtë zone.
Takimi i AIDSSH në Konispol hapi siparin e aktiviteteve përkujtimore në mbarë vendin dhe synon të inkurajojë dialogun lokal në përballje me të shkuarën, në funksion të reflektimit dhe edukimit qytetar.
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, në bashkëpunim dhe Bashkinë Konispol organizuan një dialog të hapur publik në qytetin e Konispolit, mbi rezistencën antikomuniste në zonë, takimi i cili pasoi ekspozitën me materiale arkivore i mbajtur ditë më parë në mjediset e AIDSSH.
Ekspozita e zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe Bashkinë Konispol u zhvendos në Konispol, pranë komunitetin vendas, me qasje europiane ndaj së shkuarës. Dialogu lokal u fokusua në ngjarjet specifike të zonës së Konispolit e Mursisë, për t’i ridimensionuar figurat njerëzore dhe nxitur reflektim.
Materialet mbi personalitete të kohës, si Teme Sejko, Tahir Demi, Rexhep Plaku e dhjetëra të tjerë që shkojnë në disa mijëra faqe u vunë në dispozicion të të interesuarve të kësaj bashkësie, ish-të përndjekur e familjarë të tyre, studiues, shoqëri civile dhe media, si dhe merrte pjesë edhe Xhemal Bali, i dënuar me grupin që në 1961.
Në kuadër të kësaj veprimtarie, AIDSSH ka kryer kërkim të thelluar mbi viktimat e zonës gjatë viteve 1946-1973, në dokumente dhe mikrofilma. Mbi bazën e tyre janë verifikuar të dhëna mbi akuzat, vitin e arrestimit, vitin e dënimit dhe formën e dënimit. Në total janë verifikuar 40 dosje të natyrës formulare, hetimore-gjyqësore dhe bashkëpunëtori, për 46 viktima të evidentuara. Të gjitha materialet e sipërpërmendura janë deklasifikuar.
Të interesuarit plotësuan formularët e kërkesës për informim, konform ligjit 45/2015 për t’i lexuar këto dokumente.
Mbi figurën e Rexho Plakut dhe persekutimin komunist në këndvështrimin e historianit të zonës folën Halil Shabani dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit.
Në fund të takimit, motra e Bilal Xhaferrit interpretoi një pjesë dhe të rinjtë e shkollës realizuan një performancë mbi triumfin e dinjitetit njerëzor. /a.g/




































